Njoftim për mbrojte nga viruset
November 21, 2022Angel Cards Readings, Medium Indication, Clairvoyant psychics in georgia Readings and you may Meditation
November 5, 2024KUSHTET E PËRGJITHSHME TË KONTRATËS
1. Objekti i Kontratës
1.1.Objekt i kontratës për shërbime është përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve të palëve kontraktuese lidhur me ofrimin e shërbimeve të caktuara në faqen e parë të kësaj kontrate. Përdoruesi zgjedh pakon e shërbimit dhe specifikat e pakove. Kjo kontratë është përpiluar në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave, Ligjin Nr. 04/L-109 për Komunikimet Elektronike, Rregulloren Nr.005/B/24 për Kontratat, Transparencën dhe Publikimin e Informatave dhe Masave tjera Mbrojtëse për Përdoruesit Fundorë të Shërbimeve të Komunikimeve Elektronike si dhe legjislacionin e aplikueshëm i cili e rregullon fushën për të cilën lidhet kjo kontratë. Lista e kanaleve të televizionit digjital kabllor mund të ndryshoj varësisht rrethanave komerciale dhe marrëveshjeve me bartësit e të drejtave. Në këtë rast Telkos nuk merr përgjegjësi për shtimin apo largimin e ndonjë kanali televiziv.
1.2. Operatori përmes kontratës ofron për Përdoruesin shërbime të internetit dhe shërbime të kanaleve televizive ndaras apo sipas marrëveshjes edhe pako të kombinuara Internet dhe TV. Në raste të caktuara, palët mund të nënshkruajnë këtë marrëveshje edhe jashtë objekteve të Telkos apo në distancë.
2. Pagesat dhe Faturimi
2.1. Çmimet për kyçje, çmimet e pakove, ofertat promocionale dhe ndryshimet e çmimeve do të publikohen në www.telkos.net.
2.2. Të gjitha obligimet financiare mujore faturohen në baza të rregullta mujore në fillim të periudhës shfrytëzuese, që ka validitet tridhjetë (30) ditë, në valutën euro (€). Çmimet janë në shumën bruto dhe fatura përfshinë edhe Tatimin në Vlerën e Shtuar (TVSH). Tatimi në Vlerën e Shtuar (TVSH) vlen për të gjithë Përdoruesit, përveç autoriteteve të liruara në bazë të ligjeve në fuqi në Kosovë. Pagesa mund të realizohet direkt në filialet e operatorit, në mënyrë elektronike ose përmes palëve të treta (distributorëve) që janë të autorizuara nga Telkos si dhe online në këto llogari: NLB:1701017600081503, PCB:051181003016000169, BPB:1300001002643983, TEB:2020000165955532, RBKO:1501001018842342, BKT:1901005902031165.
2.3. Nëse Përdoruesi nuk kryen pagesën e faturës sipas afateve të përcaktuara, atëherë shërbimet e ofruara do të ndërpriten menjëherë, pa paralajmërim shtesë, ndërsa obligimi do të vazhdoj në përputhje me periudhën kontraktuese të përcaktuar me këtë kontratë.
2.4. Në rast të vendosjes së ndonjë tarife të taksës ose tatimeve nga ana e institucioneve shtetërore përgjegjëse, Përdoruesi pajtohet të paguajë shumën e plotë. Në raste të tilla, operatori ka të drejtë të ndryshojë çmimin pa paralajmërim për vlerën e njëjtë.
2.5. Në rast se Përdoruesi ndryshon shërbimin me një pako tjetër, përderisa ka bërë parapagim, ndërkaq që Telkos ka plotësuar kushtet e kontratës, atëherë ditët e mbetura nga parapagimi nuk kompensohen. Në rast se Përdoruesi dëshiron të rimbushë pakon para skadimit të afatit të llogarisë, atëherë atij nuk i humbin ditët e mbetura, por i shtohet validiteti i pakos për aq ditë sa ka afat llogaria e re, nga dita e skadimit të llogarisë së vjetër. Në raste kur Përdoruesi pasi ka bë parapagim, kërkon të shkëpusë shërbimin ende pa kaluar periudha e kontraktuar për parapagim, ndërkaq që Telkos plotëson kushtet e kontratës, mjetet e parapaguara nuk do të kthehen nga Telkos.
3. Raportimi i Problemeve Teknike
3.1. Përdoruesi në rast të problemeve me internet apo sinjal televiziv duhet të lajmëroj qendrën teknike dhe operatori do të intervenojë brenda limitit kohor më të shkurtër. Qendra teknike është 24 orë në shërbim të Përdoruesit përmes numrave +383 44 100 995 dhe +383 600 321, si dhe në adresën elektronike info@telkos.net.
3.2. Operatori do të llogaris si ndërprerje të shërbimit ndërprerjen në infrastrukturën e vet kurrizore (backbone), por jo edhe ndërprerjet që ndodhin tek Përdoruesi në rast se Përdoruesi nuk e ka lajmëruar defektin tek operatori. Përdoruesi është i detyruar që operatorit t’i mundësojë qasje fizike deri te vendndodhja e pajisjeve të operatorit. Në rast të pengesave nga palët e treta për t’iu qasur pajisjeve të tyre, operatori nuk ka obligim të negociojë me palët e treta. Negociatat me palët e treta duhet t’i bëjë Përdoruesi. Operatori ka të drejtë të suspendojë llogarinë e Përdoruesit në rast se vëren përmbajtje që pengojnë ose ndalin punën e sistemit të operatorit a ndonjë rrjete tjetër, apo vëren aktivitete që janë në kundërshtim me ndonjë dispozitë të kësaj kontrate.
4. Cilësia e Shërbimit dhe Defektet Teknike
4.1. Për shërbimin e Internetit orët e pikut (peakhours) fillojnë nga ora 19:00 dhe zgjasin deri në orën 00:00. TELKOS rregullisht do të monitoroj dhe bëjë matje të shfrytëzimit të kapaciteteve të rrjetit, në segmente specifike dhe në mënyrë dinamike do të evitoj ngarkesat eventuale. Për segmentet ku nuk ka mundësi të realizohet mënyra dinamike e shpërndarjes së ngarkesës TELKOS do të aplikojë procedura të brendshme për optimizim të burimeve në këto segmente. Shpejtësia e garantuar (shkarkim/ngarkim) në rastin e rrjetave fikse duhet të jetë së paku 40% e shpejtësisë maksimale.
4.2. Numri i kanaleve: Olympic + 270; Ideal +270; Basic +100
5. Të drejtat dhe Obligimet e Operatorit
5.1.Operatori është i obliguar që t’i mundësojë Përdoruesit shërbime të cilësisë së lartë, në pajtueshmëri me limitet e kapacitetit të rrjetit, mundësitë teknike dhe kushtet për të cilat pajtohen palët në kontratë. Në rast se operatori nuk i përmbushë obligimet e shërbimeve të internetit dhe televizionit kabllor, atëherë do të bëhet kompensimi sipas legjislacionit në fuqi. Në rast të ndërprerjes së shërbimit për të paktën 12 orë, atëherë operatori duhet të kompensojë Përdoruesin me 24 orë zgjatje shërbimi për çdo periudhë prej 12 orësh të humbur. Kjo vlen nëse Përdoruesi e ka raportuar problemin dhe operatori nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim. Telkos nuk mund të jetë përgjegjës për çdo ndërprerje, humbje apo cilësi të keqe të shërbimit për shkaqe që varen nga palët e treta. Minimumi i shpejtësisë “Shpejtësia Minimale” do të jetë 40% nga pakoja e përzgjedhur nga Përdoruesi dhe Operatori do ta ofrojë në 70% të kohës. Telkos do t’i ofrojë mbështetje Përdoruesit përmes qendrës së thirrjeve, 7 ditë në javë, 24 orë në ditë. Operatori nuk mund të garantojë qasje në shërbimet e emergjencës ose informacionin e lokacionit. Përdoruesi pajtohet që Telkos mund të kontaktoj Përdoruesin në koordinatat e Përdoruesit, të dhëna nga Përdoruesi në këtë kontratë, përfshirë thirrjet telefonike, sms si dhe adresë elektronike dhe postare. Me njoftim paraprak, Telkos rezervon të drejtën e ndërprerjes së shërbimit për arsye të mirëmbajtjes dhe avancimit të rrjetit. Këto ndërprerje mund të zgjasin për aq kohë sa do të zgjasin punimet.
6. Të drejtat dhe Obligimet e Përdoruesit
6.1. Përdoruesi është i obliguar të përdorë shërbimet në pajtim të plotë me marrëveshjen në fjalë dhe konform me rregullat dhe ligjet në fuqi. Në të kundërtën TELKOS mund të marrë këto masa: t’ia tërheqë vërejtjen Përdoruesit që të shfrytëzojë shërbimin në pajtueshmëri me marrëveshjen, të pezullojë apo anulojë automatikisht shërbimin e dhënë nga TELKOS pa kurrfarë përgjegjësie për kompensim ndaj Përdoruesit dhe si rezultat të kërkojë kompensim dëmesh të shkaktuara nga keqpërdorimi i bërë nga Përdoruesi. Në rast se TELKOS e anulon kontratën me Përdoruesin për arsyet nga ky nen, ky i fundit është përgjegjës t’i kryejë të gjitha obligimet financiare të mbetura ndaj TELKOS.
6.2.Çdo mos përputhje e vazhdueshme ose e përsëritur midis performancës aktuale të një shërbimi të komunikimeve elektronike dhe performancës së përcaktuar në kontratë, i jep konsumatorit të drejtën e përdorimit të mjeteve juridike, sipas legjislacionit në fuqi. Përdoruesi duhet të informojë Telkos për mospërputhje. Nëse Telkos brenda 15 ditëve nuk eliminon mospërputhjen, Përdoruesi ka të drejtë të paraqesë ankesë në ARKEP.
6.3. Përdoruesi pajtohet të përdorë shërbimin vetëm për arsye individuale, rezidenciale, jo komerciale, përderisa nuk autorizohet me shkrim nga operatori.
6.4. Telkos ruan të drejtën të ndërmarrë veprime ligjore për çfarëdo humbje a dëmi të shkaktuar nga Përdoruesi. Përdoruesi pajtohet që t’u ofroj qasje punonjësve të Telkos në hapësirën e tij fizike me qëllim të instalimit, mirëmbajtjes ose ndonjë ndërhyrjeje që lidhet me rrjetën ose pajisjet. Përdoruesi është përgjegjës për negocimin e qasjes në hapësirën fizike të një pale të tretë, e cila është e nevojshme për ofrimin ose mirëmbajtjen e shërbimit.
Përdoruesi pajtohet se operatori nuk mban asnjë përgjegjësi për dëmet direkte ose indirekte të shkaktuara nga përdorimi i shërbimit.
6.5. Nëse Përdoruesi ndryshon lokacionin e banimit, obligohet të kompensoj Telkos për vlerën e mbetur deri në ditën e shfrytëzimit të shërbimit si dhe për tarifën e instalimit. Nëse Telkos mund të ofroj shërbim në lokacionin e ri, Përdoruesi do të paguaj shumën prej 10 € për instalim të dytë. Telkos nuk mban përgjegjësi nëse nuk ka sinjal në adresën e re të Përdoruesit.
7. Hyrja në fuqi, kohëzgjatja dhe ndërprerja e Kontratës
7.1.Kontrata hyn në fuqi ditën e nënshkrimit të saj dhe mbetet në fuqi për periudhën e caktuar, sipas kërkesës së përdoruesit.Pas afatit fillestar të kontratës, kontrata aktuale me kohë të caktuar, në datën e skadimit kthehet në kontratë të përhershme me kushte të njëjta, që mund të shkëputet në çdo kohë, me kusht që Përdoruesi të njoftohet para skadimit të kontratës.
7.2.Kontrata mund të ndërpritet në rast të mos përmbushjes apo shkeljeve të kushteve të saj. Ndërprerja e kontratës në mungesë të fakteve dhe vërejtjeve të dhëna me shkrim nga palët konsiderohet e paligjshme. Operatori rezervon të drejtën të ndërpresë kontratën me apo pa paralajmërim në rast se Përdoruesi nuk ka respektuar këtë kontratë. Në këtë rast Përdoruesi obligohet të kompensoj muajt e mbetur të kohëzgjatjes fillestare.
7.3.Nëse Përdoruesi ka abonim dhe nuk e ka shfrytëzuar shërbimin nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim për periudhën e pashfrytëzuar.
7.4. Përdoruesi ka të drejtë të shkëpus kontratën pa kosto shtesë nëse TELKOS ka dështuar të përmbushë kushtet e kontratës, ka ndërprerje të platformave të ndryshme brenda Telkos, gjegjësisht nuk mund të ofrojë shërbime sipas kontratës që janë pajtuar palët, përveç nëse ndryshimet e propozuara janë në dobi të Përdoruesit, janë të një natyre administrative, nuk kanë efekt negativ tek Përdoruesit si dhe vendosen drejtpërdrejt nga ligji ose vendimet e organeve shtetërore. Të gjitha ndryshimet e propozuara nga Telkos do t’i dërgohen konsumatorit të paktën 30 ditë para hyrjes në fuqi të atyre ndryshimeve. Nëse konsumatori nuk pajtohet me ndryshimet ka të drejtë të ndërpres kontratën brenda dy muajve të parë pas ndryshimeve. Në këtë rast ai obligohet të njoftoj Telkos dhe të paguajë detyrimin e papaguar për shërbimin e marrë deri në datën e shkëputjes së kontratës.
7.5.Nëse Përdoruesi e ndërpret kontratën para periudhës kohore të përcaktuar me kontratë, në secilin rast që Telkos ofron shërbim në përputhje me kushtet e kontratës, Përdoruesi obligohet të paguajë tarifën e shkëputjes ose Telkos do të kërkojë kompensim për përfundimin e parakohshëm të kontratës përmes përmbaruesit privat. Të gjitha shpenzimet e krijuara me këtë rast do t’i bartë Përdoruesi. Detyrimet shtesë, provizioni bankar, dhe shpenzimet e tjera do të paguhen nga Përdoruesi.
7.6.Operatori mund të ndërpresë kontratën pa paralajmërim nëse Përdoruesi përdorë shërbimin për këto raste:
a. Rishitja e shërbimit në tërësi, pjesërisht, apo lejimi i qasjes një pale të tretë;
b. Përdorimi direkt ose jo direkt i shërbimit për qëllime të jashtëligjshme;
c. Lidhja e ndonjë pajisjeje të paautorizuar ose ndonjë kablloje në pajisjet ose rrjetën e Shërbimit;
d. Dërgimi, komunikimi ose ruajtja e të dhënave, informatave, ose materialeve në kundërshtim me ligjet në fuqi;
e. Përdorimi i shërbimit në mënyrën që shkakton mosfunksionimin e sistemit, dobëson cilësinë ose rrezikon sigurinë e rrjetës;
f. Shfrytëzimi i shërbimit për çdo gjë që është e paligjshme apo imorale;
g. Shfrytëzimi i shërbimit për komunikime të natyrës kërcënuese, ofenduese, ngacmuese, shpifëse a të pahijshme;
h. Shfrytëzimi i shërbimit duke bërë shkelje të privatësisë apo të drejtave pronësore intelektuale;
i. Kërcënim serioz të rendit dhe të sigurisë publike;
j. Shkaktimi i dëmeve fizike e materiale.
7.7. Kontrata parashikon zgjatje automatike, me pëlqimin e Përdoruesit, dhe pas një zgjatjeje të tillë Përdoruesit kanë të drejtë të përfundojnë kontratën në çdo kohë, me një periudhë njoftimi të paktën pesë(5) ditë para datës së përfundimit, pa kosto shtesë.
8. Pajisjet
8.1.Pajisjet që instalohen nga operatori janë pronë e operatorit, të huazuara tek Përdoruesi, për periudhën e shfrytëzimit sipas kësaj kontrate, përveç nëse Përdoruesi shprehë vullnetin që t’i blejë ato. Çmimi i modemit është 60€, çmimi i resiverit është 60€. Me shkëputjen e kontratës Përdoruesi është i obliguar t’ia kthej pajisjet operatorit brenda pesë (5) ditëve pas datës së ndërprerjes së kontratës. Nëse shfrytëzuesi nuk e bënë një gjë të tillë operatori do të lëshojë faturë me çmimin e pajisjeve dhe do të fillojë procedurat përmbarimore. Përdoruesi është përgjegjës për trajtimin jo adekuat, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në: dëmtimet fizike, furnizim jo adekuat me energji elektrike, lagështi, vendosja në ambiente pa qarkullim të mirë të ajrit, këputjet ose dëmtimet e kabllove brenda ambientit që janë në kontrollë të Përdoruesit. Në të gjitha këto raste si dhe raste tjera që vërtetohet përgjegjësia e Përdoruesit, ai duhet të bëjë kompensimin sipas çmimit të faturuar nga operatori. Në rast të trajtimit joadekuat (siç u shpjegua më lartë) për të gjitha dëmet që mund të ndodhin si rrjedhojë e kësaj, operatori nuk mban përgjegjësi. Në rast se shfrytëzuesi i dëmton pajisjet (MODEMIN ose RESIVERIN) duhet t’i paguaj në afat prej 5 ditësh. Kompensimi i pajisjeve gjatë periudhës kontraktuese nuk do të kalojë vlerën e tij ‘’pro rata temporis”. Lloji i pajisjes që do t’i jepet konsumatorit specifikohet në kontratën që përdoruesi nënshkruan me Telkos. Të gjitha përdorimet e pronës/pajisjeve të operatorit nga shfrytëzuesi bëhen duke marrë përsipër personalisht rrezikun dhe operatori nuk do të jetë përgjegjës për ndonjë lëndim, humbje jete, dëme ose dëmtim të pronës së shfrytëzuesit apo një personi të tretë dhe nuk do të jetë subjekt i ndonjë pretendimi, kërkese, lëndimi apo dëmi. Përdoruesi në emrin e tij dhe të të gjitha palëve të lidhura me të deklaron shprehimisht se përgjithmonë e liron dhe shkarkon operatorin nga të gjitha pretendimet, kërkesat, veprimet apo paditë. Në rast të vjedhjes së pajisjeve, shfrytëzuesi është i obliguar që të sjellë raportin për vjedhje nga Policia e Kosovës. Përdoruesi është përgjegjës për sigurinë e kompjuterit të tij, harduerit, softuerit dhe të dhënave të tij. TELKOS nuk mirëmban kompjuterin dhe LAN cable të shfrytëzuesit dhe nuk mban kurrfarë përgjegjësie për dëmtimin apo humbjen e këtyre të dhënave, si rezultat i përdorimit të shërbimit. Të gjitha pajisjet që përdoren nga shfrytëzuesit i përshtaten standardeve dhe specifikave teknike të aprovuara nga ARKEP dhe implementuara nga TELKOS.
9. Mbrojtja e të Dhënave dhe Privatësia
9.1. TELKOS në përputhje të plotë me Ligjin Nr. 06/L – 082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përpunon dhe ruan të dhënat personale të Përdoruesit që përfshijnë: emër, mbiemër, emër të prindit, numër personal, adresë postare, numër telefoni, adresë elektronike. Përdoruesi me nënshkrimin e kësaj kontrate pajtohet që të dhënat e tij të përpunohen nga operatori. Përdoruesi është përgjegjës për ofrimin e të dhënave të sakta dhe informimin e operatorit brenda pesë ditëve në rast të ndryshimeve në këto të dhëna. Operatori nuk është përgjegjës për të dhënat apo informacionet që Përdoruesi i dërgon ose pranon nga një palë e tretë duke përdorur shërbimin.
9.2. Operatori, ashtu siç e parasheh ligji, bashkëpunon me organet e rendit dhe ofron informata sipas kërkesës zyrtare.
9.3. Përdoruesi jep pëlqimin po ashtu që të dhënat personale të përdoren nga operatori edhe për qëllim të shfrytëzimit të informimit për produktet ose shërbimet e ngjashme a të reja si dhe për qëllim marketingu, gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate dhe pas përfundimit të saj.
10. Pronësia intelektuale
10.1. Telkos është operator i licencuar për transmetim, nga KPM. Të gjitha kanalet në platformën Telkos transmetohen në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me marrëveshje me bartësit e të drejtave.
10.2. Është i ndaluar rreptësisht shumëzimi, ritransmetimi, ri publikimi, ruajtja apo rishpërndarja e shërbimeve të operatorit.
11. Forca Madhore (Vis Maior)
11.1.Në rast të dështimit të përmbushjes së obligimeve që rezultojnë nga forca madhore asnjëra palë kontraktuese nuk mbajnë përgjegjësi. TELKOS nuk do të jetë përgjegjës për ndonjë ndërprerje ose dobësim të shërbimit për të gjithë Përdoruesit pa dallim, për ndonjë defekt në rrjet, shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore, apo nga ndonjë rrethanë jashtë kontrollit të TELKOS, të cilat nuk mund të parashikohen dhe parandalohen. Në asnjë rast, TELKOS nuk do të mbajë përgjegjësi për dëme indirekte, apo humbje të ardhurash, shkaktuar Përdoruesit. Telkos nuk mban përgjegjësi në rast të dëmeve të shkaktuara nga energjia elektrike apo rrufeja. Telkos nuk mban përgjegjësi për ngjarjet që janë të paparashikuara, të pa rezistueshme dhe përtej kontrollit të palëve, siç janë dështimet për shkak të motit, zjarri, akte terrorizmi, luftë, trazira, grevë ose protesta të punëtorëve, gjendjet e jashtëzakonshme, ndryshimi i ligjeve dhe rregulloreve, vendimet nga organet shtetërore, sulmet kibernetike, epidemitë, dështimi i infrastrukturës publike, dëmtim i infrastrukturës nga palët e treta, shpronësim nga ana e qeverisë, akte të tjera të qeverisë apo çfarëdo ndodhie që është jashtë kontrollit të arsyeshëm të palës përkatëse.
12. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
12.1.Përdoruesit mund të paraqesin ankesë në këto mënyra: duke telefonuar në: +383 44 100 995 dhe +383 600 321, me postë në adresën e Telkos, rr. Elez Berisha, nr.30, Prishtinë, si dhe në adresën elektronike: info@telkos.net.
12.2.Operatori duhet të shqyrtoj të gjitha ankesat që pranon dhe të përgjigjet brenda 15 ditëve nga data e pranimit të ankesës. Në rastet kur dështon tentimi i palëve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes negociatave, atëherë palët mund të iniciojnë procedurë në ARKEP për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.