
Njoftim për mbrojte nga viruset
November 21, 2022KUSHTET E PËRGJITHSHME TË KONTRATËS
- Objekti dhe Rregullimi Ligjor i Kontratës
1.1. Objekt i kontratës për shërbime është përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve të palëve kontraktuese lidhur me ofrimin e shërbimeve të Telkos, të caktuara në faqen e parë të kësaj kontrate. Përdoruesi zgjedh pakon e shërbimit dhe specifikat e pakove. Kjo kontratë është përpiluar në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-109 për Komunikimet Elektronike, Rregulloren Nr.005/B/24 për Kontratat, Transparencën dhe Publikimin e Informatave dhe Masave të tjera Mbrojtëse për Përdoruesit Fundorë të Shërbimeve të Komunikimeve Elektronike, Rregulloren Nr. 2024/02 për Mbrojtjen e Përdoruesve në Fushën e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele si dhe legjislacionin tjetër të aplikueshëm i cili e rregullon fushën për të cilën lidhet kjo kontratë.
1.2. Lista e kanaleve televizive mund të ndryshojë varësisht rrethanave komerciale, teknike dhe marrëveshjeve me bartësit e të drejtave. Në këto raste Telkos nuk mban përgjegjësi për shtimin apo largimin e ndonjë kanali televiziv.
1.3. Nënshkrimi i kontratës bëhet në zyrat e Operatorit, por në raste të veçanta, palët mund ta nënshkruajnë edhe jashtë zyrave të Operatorit ose në distancë, përmes mjeteve të qëndrueshme të komunikimit elektronik, me kusht që të përmbushen kërkesat për informim dhe transparencë të parashikuara me legjislacionin në fuqi.
- Pagesat dhe Faturimi
2.1. Tarifat mujore të pakove, ofertat promocionale dhe çdo ndryshim çmimi publikohen në faqen zyrtare të Operatorit: www.telkos.net.
2.2. Të gjitha obligimet financiare mujore faturohen në fillim të çdo periudhe shfrytëzimi, e cila zgjat tridhjetë (30) ditë kalendarike dhe fillon nga data e nënshkrimit të kësaj kontrate, pavarësisht nga koha kur Përdoruesi fillon faktikisht të përdorë shërbimin. Çdo periudhë vijuese llogaritet në një cikël të rregullt mujor, nga data përkatëse e hyrjes në fuqi. Të gjitha çmimet janë të shprehura në vlerë bruto dhe përfshijnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), përveç rasteve kur Përdoruesi përfiton përjashtim tatimor në bazë të ligjit. Faturimi bëhet në valutën zyrtare, euro (€). Pagesa mund të realizohet përmes platformës online të Telkos, në filialet e Telkos, përmes distributorëve të autorizuar ose përmes transfereve bankare në këto llogari: PCB–1181003016000169; NLB–1701017600081503; RBKO– 1501001018842342; TEB–2020000165955532; BPB–1300001002643983; BKT-1901005902031165; BE– 1401000100270631; Pribank –2410130100019239; Paysera –5200001549570014.
2.3. Nëse Përdoruesi nuk përmbush obligimet e pagesës brenda afateve të përcaktuara, shërbimet ndërpriten menjëherë, me paralajmërim, ndërsa obligimi vazhdon në përputhje me periudhën kontraktuese, të përcaktuar me këtë kontratë.
2.4. Në rast se autoritetet kompetente vendosin tarifa, taksa ose ngarkesa të tjera fiskale që ndikojnë në çmimet e shërbimeve të ofruara nga Operatori, Përdoruesi pranon të paguajë shumën shtesë të aplikuar. Në këto rrethana, Operatori ka të drejtë të rrisë çmimin e shërbimeve vetëm për vlerën e ndryshimit të imponuar, me kusht që Përdoruesi të njoftohet paraprakisht, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e konsumatorit.
2.5. Nëse Përdoruesi ndryshon pakon, përderisa ka bërë parapagim, ndërkohë Telkos ka plotësuar kushtet e kontratës, ditët e mbetura nga parapagimi nuk kompensohen.
2.6. Në rastet kur Përdoruesi, pas realizimit të pagesës, kërkon ndërprerjen e shërbimit përpara përfundimit të periudhës së kontraktuar, ndërkohë që Operatori ka përmbushur detyrimet e tij sipas kontratës, shuma e parapaguar nuk i nënshtrohet rimbursimit.
- Raportimi i problemeve teknike
3.1. Në rast të problemeve me shërbimin e internetit ose me sinjalin televiziv, Përdoruesi është i obliguar të njoftojë menjëherë Qendrën Teknike të Operatorit. Telkos angazhohet të ndërhyjë për zgjidhjen e problemit brenda një afati prej 24 deri në 96 orë, në varësi të natyrës së defektit.
3.2. Qendra Teknike e Operatorit është në dispozicion të Përdoruesit 24/7 dhe mund të kontaktohet përmes numrave: +383 44 100 995, +383 600 321, ose përmes adresës elektronike: info@telkos.net.
3.3. Operatori i konsideron si ndërprerje të shërbimit vetëm ato defekte që burojnë nga infrastruktura qendrore e tij (backbone).
3.4. Përdoruesi është i obliguar të sigurojë qasje fizike pa pengesë për stafin teknik të Operatorit në lokacionin ku ndodhen pajisjet e Operatorit, për qëllim të inspektimit, mirëmbajtjes dhe zgjidhjes së defekteve.
3.5. Nëse qasja e Operatorit në vendndodhjen e pajisjeve pengohet nga persona të tretë, Operatori nuk mban përgjegjësi për ndërprerjen apo pamundësinë për zgjidhjen e defektit. Zgjidhja e pengesave që rrjedhin nga palët e treta është përgjegjësi e Përdoruesit.
- Cilësia e Shërbimit dhe Defektet Teknike
4.1. Për shërbimin e internetit orët e pikut konsiderohen intervali kohor nga ora 19:00 deri në 23:00. Shpejtësia e garantuar (Shkarkim/Ngarkim) në rastin e rrjeteve fikse duhet të jetë së paku 40% e shpejtësisë maksimale. Shpejtësia e garantuar është niveli minimal që Operatori obligohet të ofrojë në kushte normale të funksionimit të rrjetit. Shpejtësia e zakonshme në dispozicion në rastin e rrjeteve fikse është shpejtësia që një parapagues duhet të arrijë së paku 80% të kohës gjatë ditës. Shpejtësia minimale, shpejtësia maksimale dhe shpejtësia e zakonshme e ngarkimit dhe shkarkimit, varen nga pakoja e zgjedhur nga Përdoruesi, dhe do të përcaktohen në tabelën më poshtë:
Pako | Shpejtësia e Shkarkimit / Ngarkimit GPON | Shpejtësia e Shkarkimit Coax | Shpejtësia e Ngarkimit Coax | ||||||
Maksimale | Minimumi | Zakonshme | Maksimale | Minimum | Zakonshme | Maksimale | Minimum | Zakonshme | |
Olympic | 300 Mbps | 120 Mbps | 210 Mbps | 300 Mbps | 120 Mbps | 210 Mbps | 50 Mbps | 20 Mbps | 35 Mbps |
Ideal | 150 Mbps | 60 Mbps | 105 Mbps | 150 Mbps | 60 Mbps | 105 Mbps | 40 Mbps | 12 Mbps | 21 Mbps |
Basic | 100 Mbps | 40 Mbps | 70 Mbps | 100 Mbps | 40 Mbps | 70 Mbps | 40 Mbps | 16 Mbps | 28 Mbps |
Internet | 50 Mbps | 20 Mbps | 35 Mbps | 50 Mbps | 20 Mbps | 35 Mbps | 15 Mbps | 5 Mbps | 8.6 Mbps |
4.2. Jitter over TCP është 0.1 ms, Ping mbi TCP është 2.95 ms.
4.3. Numri i kanaleve: Olympic + 270; Ideal +270; Basic 100
4.4.Ligat Sportive për pakot Ideal dhe Olympic:Evropa Liga, La Liga, Konferencë Liga, Premier Liga, Kampionatet Evropiane,Serie A.
4.5. Operatori siguron shërbimin e transmetimit të kanaleve televizive në formate HD (High Definition) dhe SD (Standard Definition), në përputhje me formatin origjinal të marrë nga burimi transmetues dhe marrëveshjet me bartësit e të drejtave. Formati i zërit (audio) transmetohet në standardet MPEG dhe ADTS, varësisht nga disponueshmëria teknike e përmbajtjes.
- Të Drejtat dhe Obligimet e Operatorit
5.1. Operatori është i obliguar t’i ofrojë Përdoruesit shërbime të cilësisë së lartë, në përputhje me kapacitetin e rrjetit, mundësitë teknike dhe kushtet për të cilat pajtohen palët në kontratë. Nëse Operatori nuk përmbush obligimet për ofrimin e shërbimeve të internetit dhe televizionit, kompensimi do të bëhet sipas legjislacionit në fuqi. Në rast të ndërprerjes së shërbimit për një periudhë prej të paktën 12 orësh, Përdoruesi do të kompensohet me 24 orë zgjatje shërbimi për çdo periudhë prej 12 orësh të humbur, nëse problemi është raportuar dhe dokumentuar. Përdoruesi duhet të ketë prova të nevojshme për të kërkuar kompensim. Kërkesa për kompensim duhet të dorëzohet me shkrim, jo më vonë se 30 ditë nga data e ndërprerjes së raportuar.
5.2. Me njoftim paraprak, Telkos rezervon të drejtën të ndërpresë shërbimin për arsye mirëmbajtjeje dhe avancimi të rrjetit. Ndërprerjet e planifikuara mund të zgjasin për aq kohë sa zgjasin punimet.
5.3. Përdoruesi pajtohet se Telkos nuk mban asnjë përgjegjësi për humbjet financiare, humbjet e të ardhurave, humbjet e të dhënave ose dëmet e tjera, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, që mund të rezultojnë nga ndërprerja, mungesa apo cilësia e dobët e shërbimit të internetit, për çfarëdo arsyeje.
5.4. Përdoruesi pranon që Telkos mund të kontaktojë Përdoruesin përmes numrave të telefonit, (përfshirë sms), adresë elektronike, adresë postare, të dhëna në kontratë nga Përdoruesi, për çështje të lidhura me shërbimin.
5.5. Përdoruesi mban përgjegjësi të plotë për saktësinë, vërtetësinë dhe përditësimin e të dhënave të kontaktit, të ofruara nga ai. Në rast të dhënies së informacionit të pasaktë ose të pavërtetë, Përdoruesi mban përgjegjësi për të gjitha pasojat që mund të rezultojnë.
- Të drejtat dhe Obligimet e Përdoruesit
6.1. Përdoruesi është i obliguar të përdorë shërbimet e ofruara nga Operatori në përputhje me kushtet e kësaj kontrate dhe legjislacionin në fuqi. Përdoruesi pranon të përdorë shërbimin vetëm për qëllime personale, rezidenciale. Çdo përdorim i shërbimit për qëllime afariste përbën shkelje të rëndë të kushteve kontraktuale.
Në rast të shkeljes, Telkos mund ta paralajmërojë Përdoruesin që të shfrytëzojë shërbimin në pajtueshmëri me kushtet e kontratës, të pezullojë apo anulojë automatikisht shërbimin e dhënë nga Telkos pa asnjë obligim për kompensim ndaj Përdoruesit dhe të kërkojë kompensim për dëmet e shkaktuara nga keqpërdorimi i bërë nga Përdoruesi. Nëse kontrata anulohet nga Telkos për arsye të parashikuara nga ky nen, Përdoruesi mbetet përgjegjës për të gjitha obligimet financiare të mbetura ndaj Operatorit.
6.2. Çdo mospërputhje e vazhdueshme ose e përsëritur mes cilësisë aktuale të shërbimit të Përdoruesit dhe standardeve të përcaktuara në kontratë, i jep të drejtën Përdoruesit të ndërmarrë masa ligjore, sipas legjislacionit në fuqi. Përdoruesi duhet të informojë Telkos për mospërputhjen. Nëse Telkos brenda 15 ditëve nuk e përmirëson mospërputhjen, Përdoruesi ka të drejtë të parashtrojë ankesë në ARKEP (Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare).
6.3. Nëse Përdoruesi ndryshon adresën e banimit, obligohet të shlyej të gjitha detyrimet financiare që ka ndaj Telkos deri në ditën e fundit të shërbimit në adresën e vjetër si dhe të paguaj tarifën e instalimit në adresën e re, në vlerë prej 10 €, nëse Telkos mund të ofrojë shërbim në atë lokacion. Telkos nuk mban përgjegjësi nëse sinjali nuk është i disponueshëm në adresën e re të Përdoruesit.
6.4. Largimi apo ndërprerja e transmetimit të kanaleve, përmbajtja e të cilave është në kundërshtim me rendin kushtetues, në përputhje me vendime të autoriteteve kompetente, nuk përbën shkak për shkëputje të njëanshme të kontratës nga ana e Përdoruesit.
- Ndërprerja e kontratës
7.1. Nëse Përdoruesi e ndërpret kontratën me afat të caktuar para periudhës kohore të rënë dakord, ofruesi i shërbimit mund të kërkojë kompensim për përfundimin e parakohshëm të kontratës gjatë nëntë (9) muajve të parë kur kontrata është lidhur për dymbëdhjetë (12) muaj, përkatësisht dymbëdhjetë (12) muajt e parë kur kontrata është lidhur për njëzet e katër (24) muaj.
7.2. Nëse Përdoruesi ka abonim dhe nuk e ka shfrytëzuar shërbimin, nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim për periudhën e pashfrytëzuar.
7.3. Përdoruesi ka të drejtë të shkëpusë kontratën pa kosto shtesë nëse Telkos ka dështuar të përmbushë kushtet e kontratës, ka ndërprerje të platformave të ndryshme brenda Telkos, gjegjësisht nuk mund të ofrojë shërbime sipas kontratës që janë pajtuar palët, përveç nëse ndryshimet e propozuara janë në dobi të Përdoruesi, janë të një natyre administrative, nuk kanë efekt negativ te Përdoruesi si dhe vendosen drejtpërdrejt nga ligji ose vendimet e organeve shtetërore. Të gjitha ndryshimet e propozuara nga Telkos do t’i dërgohen Përdoruesit të paktën tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të atyre ndryshimeve. Nëse Përdoruesi nuk pajtohet me ndryshimet ka të drejtë të ndërpres kontratën brenda dy (2) muajve pas ndryshimeve. Në këtë rast ai obligohet të njoftojë Telkos dhe të paguajë detyrimin e papaguar për shërbimin e marrë deri në datën e shkëputjes së kontratës.
7.4. Nëse Përdoruesi e ndërpret kontratën para periudhës kohore të përcaktuar me kontratë, kur Telkos ka ofruar shërbim në përputhje me kushtet e kontratës, Përdoruesi obligohet të paguajë tarifën e shkëputjes së parakohshme në vlerë prej 50€ për shkëputjet në gjashtë mujorin e parë të kontratës 12 mujore dhe 30€ për shkëputjet në tremujorin e tretë të kontratës dymbëdhjetë mujore. Në të kundërtën Telkos do të iniciojë procedurë përmbarimore përmes përmbaruesit privat. Të gjitha shpenzimet e krijuara me këtë rast do t’i bartë Përdoruesi. Detyrimet shtesë do të paguhen nga Përdoruesi.
7.5. Operatori ka të drejtë të ndërpresë kontratën pa paralajmërim nëse Përdoruesi kryen ndonjërën nga këto veprimtari: e rishet shërbimin; e përdor shërbimin, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për qëllime të jashtëligjshme; lidhë pajisje ose kabllo të paautorizuara në pajisjet ose rrjetin e shërbimit; dërgon, komunikon ose ruan të dhëna, informata apo materiale që janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi; e përdor shërbimin në mënyrë që shkakton mosfunksionim të sistemit; dobësim të cilësisë ose rrezikim të sigurisë së rrjetit; e shfrytëzon shërbimin për aktivitete të paligjshme apo të pamoralshme; e përdor shërbimin për komunikime të natyrës kërcënuese, ofenduese, ngacmuese, shpifëse apo të pahijshme; e përdor shërbimin duke shkelur privatësinë apo të drejtat e pronësisë intelektuale të palëve të treta; krijon kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë publike; shkakton dëme fizike ose materiale Operatorit ose palëve të treta.
- Pajisjet
8.1. Pajisjet që instalohen nga Operatori për shfrytëzim janë pronë e Operatorit, të huazuara tek Përdoruesi, për periudhën e shfrytëzimit sipas kësaj kontrate, përveç nëse Përdoruesi shpreh vullnet për t’i blerë ato pajisje. Çmimi i modemit është gjashtëdhjetë (60)€, çmimi i resiverit është gjashtëdhjetë (60)€.
8.2. Në rast të përfundimit apo ndërprerjes së kontratës, Përdoruesi obligohet të kthej pajisjet tek Operatori brenda pesë (5) ditëve nga data e ndërprerjes së kontratës. Në rast të moskthimit të pajisjeve në afatin e paraparë, Operatori ka të drejtë të lëshojë faturë përkatëse me vlerën e pajisjeve dhe të fillojë procedurë përmbarimore për arkëtimin e e shumës përkatëse.
8.3. Përdoruesi është përgjegjës për përdorim jo të duhur të pajisjeve, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në dëmtime fizike, furnizim jo i duhur me energji elektrike, ekspozim ndaj lagështisë, vendosje në ambient pa qarkullim të mirë të ajrit, dëmtime të kabllove në hapësirat që janë në përgjegjësi të Përdoruesit. Në të gjitha këto raste dhe në çdo rast tjetër ku vërtetohet përgjegjësia e Përdoruesit, Përdoruesi obligohet të kompensojë dëmin në përputhje me vlerën e faturuar nga Operatori. Për çdo dëmtim që rrjedh nga përdorimi jo i duhur i pajisjeve, Operatori nuk mban asnjë përgjegjësi. Kompensimi për pajisje nuk do të tejkalojë vlerën e tyre sipas parimit “pro rata temporis” (proporcionalisht me kohën e mbetur).
8.4. Në rast se pajisjet dëmtohen nga Përdoruesi, ai obligohet të paguajë vlerën përkatëse.
8.5. Lloji i pajisjeve të ofruara Përdoruesit përcaktohet në faqen e parë të kësaj kontrate.
8.6. Në rast vjedhjeje të pajisjeve, Përdoruesi është i obliguar të paraqesë raport zyrtar mbi vjedhjen, nga Policia e Kosovës.
8.7. Përdoruesi është përgjegjës për sigurinë e kompjuterit, pajisjet kompjuterike dhe të dhënat personale. Operatori nuk bën mirëmbajtje për pajisjet kompjuterike dhe rrjetin lokal (LAN cable) të Përdoruesit.
8.8. Çmimi i shërbimit mbetet i pandryshuar, pavarësisht nëse shërbimi ofrohet me pajisje të përfshira apo jo. Asnjë pagesë shtesë nuk do të aplikohet për shkak të përfshirjes ose mos përfshirjes së pajisjeve në shërbim.
- Mbrojtja e të Dhënave dhe Privatësia
9.1. Telkos në përputhje të plotë me Ligjin Nr.06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përpunon dhe ruan të dhënat personale të Përdoruesit që përfshijnë emër, mbiemër, emri i prindit, numër personal, adresë postare, numër telefoni, adresë elektronike.
9.2. Përdoruesi, me nënshkrimin e kësaj kontrate pajtohet që të dhënat e tij të përpunohen nga Operatori. Përdoruesi është përgjegjës për ofrimin e të dhënave të sakta dhe informimin e Operatorit brenda (5) pesë ditëve në rast të ndryshimeve në këto të dhëna.
9.3. Operatori, në përputhje me legjislacionin në fuqi, bashkëpunon me organet kompetente të rendit dhe autoritetet shtetërore, duke ofruar informacione të nevojshme sipas kërkesave zyrtare të paraqitura në formën dhe mënyrën e përcaktuar me ligj.
9.4. Me nënshkrimin e kësaj kontrate, Përdoruesi pajtohet, po ashtu, që të dhënat personale, të përdoren nga Operatori edhe për qëllim njoftimi rreth obligimeve ndaj Telkos si dhe për qëllime marketingu, gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate dhe pas përfundimit të saj.
- Pronësia intelektuale
10.1. Telkos është Operator i licencuar nga KPM për transmetim. Të gjitha kanalet në platformën Telkos transmetohen në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me marrëveshje me bartësit e të drejtave.
10.2. Ndalohet rreptësisht, ritransmetimi, ripublikimi, kopjimi, ruajtja apo rishpërndarja e shërbimeve të Operatorit.
- Forca Madhore
11.1. Në rast të dështimit të përmbushjes së obligimeve që rezultojnë nga forca madhore asnjëra palë kontraktuese nuk mban përgjegjësi. Operatori nuk do të jetë përgjegjës për asnjë ndërprerje ose dobësim të shërbimit, shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore, apo nga rrethana jashtë kontrollit të Telkos, të cilat nuk mund të parashikohen dhe parandalohen. Në asnjë rast, Telkos nuk do të mbajë përgjegjësi për dëme indirekte, humbje të ardhurash, shkaktuar Përdoruesit. Telkos nuk mban përgjegjësi për dëme të shkaktuara nga energjia elektrike apo rrufeja. Telkos nuk mban përgjegjësi për mos përmbushje të obligimeve që rrjedhin si pasojë e ngjarjeve që janë të paparashikuara, të parezistueshme dhe përtej kontrollit të palëve, siç janë dështimet për shkak të motit, zjarri, akte terrorizmi, luftë, trazira, grevë ose protesta të punëtorëve, gjendjet e jashtëzakonshme, ndryshimi i ligjeve dhe rregulloreve, vendimet nga organet shtetërore, sulmet kibernetike, epidemitë, dështimi i infrastrukturës publike, dëmtim i infrastrukturës nga palët e treta, shpronësim nga ana e qeverisë, akte të tjera të qeverisë apo çfarëdo ndodhie që është jashtë kontrollit të arsyeshëm të palës përkatëse.
- Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
12.1. Organe mbikëqyrëse për zbatim të kontratës janë ARKEP (Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) dhe KPM (Komisioni i Pavarur i Mediave).
12.2. Përdoruesi ka të drejtë të paraqes ankesë me shkrim në rast të ndryshimit të kushteve kontraktuale nga ana e Operatorit. Ankesa duhet të dërgohet në formë elektronike në adresën zyrtare të Operatorit: info@telkos.net. Ankesa me shkrim e Përdoruesit duhet t’i dorëzohet Operatorit brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga marrja e faturës për shërbimin e ofruar, nëse ankesa i referohet shumës së faturuar për shërbimin e ofruar dhe brenda tridhjetë (30) ditëve nga ofrimi i shërbimit, nëse ankesa i referohet kualitetit të shërbimit të ofruar.
12.3. Operatori obligohet që në afat prej shtatë (7) ditësh pas pranimit të ankesës t’i trajtoj pretendimet ankimore të Përdoruesit rreth kanaleve dhe në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas pranimit të ankesës, pretendimet ankimore rreth shërbimeve të internetit. Ankesat që kanë të bëjnë me ndërprerjen e shërbimit të kanaleve duhet trajtuar jo më vonë se tri (3) ditë nga paraqitja e tyre.
12.4. Në rastet kur dështon tentimi i palëve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes negociatave, palët mund të iniciojnë në ARKEP procedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Nëse Përdoruesi dëshiron t’i drejtohet ARKEP me kërkesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Operatorin ai duhet ta paraqesë kërkesën në ARKEP, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas marrjes së përgjigjes me shkrim nga Operatori.
12.5. Autoritet përgjegjës për zgjidhjen e kontratës në rast kontesti është Gjykata Themelore kompetente në bazë të vendndodhjes së selisë së Operatorit.